Conad Albania: Liria nuk është argument për të shpifur në dëm të tjetrit

Një person publik dhe aktivist qytetar, Z.Ilir Ciko, i është drejtuar me një ftesë publike qytetarëve për ta mbështetur në një proces gjyqësor që ka me kompaninë Conad Albania. Z.Ciko është paditur për shpifje dhe dëmtim imazhi nga Conad Albania, lidhur me disa informacione që ka publikuar në datën 2 Shkurt, në faqen e tij në rrjetet sociale, duke aluduar për manipulime të qëllimshme të Conad Albania, me etiketat e produkteve, për të maskuar cilësinë e madje edhe çmimin e tyre.

Conad Albania tregoi transparencë të plotë ndaj rastit, duke shpjeguar se për produkte të tilla si kërpudha, për të cilën pretendonte Z,Ciko se beheshin manipulime ne etiketim, apo produkte të tjera si frutat dhe perimet, nuk vendoset në etiketë afat skadence. Për këtë arsye, as ligji shqiptar e as ai europian nuk e kërkojnë një gjë të tillë. Ndaj dhe Conad nuk mund të korigjonte në etiketë diçka që nuk ekzistonte.

Por, për shkak të ndjeshmërisë së madhe të qytetarëve ndaj ushqimeve, shkrimi i Z.Ciko atëkohë mori shumë vëmendje, vëmendje të cilën ai sot e konsideron si një konfirmim për akuzat e tij.

Fakti që këto shpifje gjejnë jehonë në mediat sociale, nuk do të thotë se ato janë të drejta. Përkundrazi, këto janë një arsye më shumë që ne të kërkojmë drejtësi për dëmtimin e imazhit tonë. Conad Albania është gati të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë dhe kostot, në çdo rast kur klientët shprehin me të drejtë pakënaqësi me produktet tona. Për këtë arsye, ju kujtojmë të gjithë klientëve, që për çdo problem që mund të konstatojnë në dyqanet tona, të njoftojnë menjëherë personelin.

Por ne nuk pranojmë kurrësesi të marrin përsipër kostot e shpifjeve, aq më shumë kur ato bëhen me qëllim që të dëmtojnë imazhin tonë.Sepse nuk mund të pranojmë që të hidhet baltë mbi punën e qindra njerëzve që punojnë ditë e natë, duke sjellë në Shqipëri një standart të BE-së, sa i takon cilësisë së produkteve ushqimore, por edhe shërbimit dhe marrëdhënies korrekte me klientin.

Ne bëjmë gjithçka për të qenë  transparentë me klientin. Por ne do të bëjmë gjithçka edhe për ta mbrojtur punën tonë dhe për të mos lejuar përhapjen e panikut mes klientëve, përmes alarmeve të padrejta e të rreme, apo më keq, të sponsorizuara për arsye të ndryshme.

Në një shtet ligjor liria e një personi mbaron aty ku cënohet liria dhe e drejta e dikujt tjetër. Per këto arsye, tashmë çështja i ka kaluar gjykatës, e askush prej palëve nuk ka përse kërkon përkrahës.